Zgjedhimi i foljeve në gjermanisht — koha e tashme (Präsens)
Gramatika gjermane · niveli A1 · shpjegim në shqip
Në gjermanisht folja ndryshon mbaresën sipas vetës, njësoj si në shqip (punoj, punon, punojmë). Mjafton të mësosh gjashtë mbaresa dhe pastaj mund të zgjedhosh qindra folje të rregullta.
Mbaresat e Präsens
Merr infinitivin, hiq -en dhe shto mbaresën. Shembull: wohnen (me banuar) → rrënja wohn-.
| Veta | Mbaresa | wohnen | lernen | arbeiten |
|---|---|---|---|---|
| ich | -e | wohne | lerne | arbeite |
| du | -st | wohnst | lernst | arbeitest |
| er / sie / es | -t | wohnt | lernt | arbeitet |
| wir | -en | wohnen | lernen | arbeiten |
| ihr | -t | wohnt | lernt | arbeitet |
| sie / Sie | -en | wohnen | lernen | arbeiten |
Kur rrënja mbaron me -t ose -d (arbeiten, finden), shtohet një -e- për t’u shqiptuar më lehtë: du arbeitest, er findet.
Kur rrënja mbaron me -s, -ß, -z (heißen, tanzen), te du shtohet vetëm -t: du heißt, du tanzt.
Foljet që ndryshojnë zanoren
Disa folje të parregullta ndryshojnë zanoren vetëm te du dhe er/sie/es:
| Infinitivi | Ndryshimi | du | er / sie / es |
|---|---|---|---|
| fahren (me udhëtuar) | a → ä | fährst | fährt |
| schlafen (me fjetur) | a → ä | schläfst | schläft |
| essen (me ngrënë) | e → i | isst | isst |
| sprechen (me folur) | e → i | sprichst | spricht |
| geben (me dhënë) | e → i | gibst | gibt |
| lesen (me lexuar) | e → ie | liest | liest |
| sehen (me parë) | e → ie | siehst | sieht |
| nehmen (me marrë) | e → i | nimmst | nimmt |
Lista e plotë me 300 folje është te foljet e parregullta.
Präsens përdoret edhe për të ardhmen
Ndryshe nga anglishtja, gjermanishtja e përdor kohën e tashme edhe për planet: Morgen fahre ich nach Berlin. — Nesër udhëtoj për në Berlin. Shih edhe Futur I.
Gabimet më të shpeshta
| Gabim | Saktë | Pse |
|---|---|---|
| Er wohnen in Wien. | Er wohnt in Wien. | Me er/sie/es mbaresa është -t. |
| Du fahrst nach Hause. | Du fährst nach Hause. | fahren ndryshon zanoren te du: fährst. |
| Er esst Pizza. | Er isst Pizza. | essen → er isst. |
Shembuj nga ushtrimet e aplikacionit
| Gjermanisht | Shqip | Shpjegim |
|---|---|---|
| Ich lerne die deutsche Sprache. | Unë mësoj gjuhën gjermane. | |
| Meine Schwester liest ein Buch. | Motra ime lexon një libër. | |
| Der Junge spielt mit seinem Bruder. | Djali luan me vëllain e tij. | |
| Wir wohnen in einer Stadt. | Ne banojmë në një qytet. |
Ushtroje këtë temë në aplikacion
Mësimet A1–C1 janë falas. Me Premium e ushtron gramatikën: rasat dhe parafjalët, ndërtim fjalish, 300 folje të parregullta, Der · Die · Das me 750 emra dhe “Gjej gabimin” — të gjitha në shqip.
Pyetje të shpeshta
Sa kohë ka gjermanishtja?
Gjashtë: Präsens, Perfekt, Präteritum, Plusquamperfekt, Futur I dhe Futur II. Në jetën e përditshme përdoren kryesisht Präsens dhe Perfekt.
Si ta di nëse folja ndryshon zanoren?
Nuk ka rregull të sigurt — këto folje mësohen përmendsh. Në fjalor shënohet forma e er-it, p.sh. fahren (fährt).